Champions, Dybala do të mungojë ndaj Tottenhamit

Sport

debababa

Paulo Dybala nuk do të luajë kundër Tottenhamit në përballjen e parë të vlefshme për 1/8-at e Champions League-ës. Ky ka qenë lajmi më shqetësues i javës për Juventusin, atje ku statistikat flasin për një varësi ndaj argjentinasit për të arritur rezultatet pozitive. 24-vjecari gjatë ndeshjes me Cagliarin vuajti një lëndim muskulor në kofshën e djathtë. Problemi u pa qartë se ishte serioz, pasi argjentinasi e lëshoi veten duke u larguar në agoni. Ai ka qenë titullar pothuajse në të gjitha ndeshjet e fillim-sezonit. Në fakt “La Joya” gëzoi një formë fantastike pasi realizoi 10 gola radhazi deri te ato dy penallti të humbura me Strakoshën dhe Berishën. Pas disa luhatjesh, forma e kënaqshme vazhdoi dhe statistikat flasin për 14 ndeshje të Juventusit me 13 fitore dhe 1 barazim, kur Dybala ka qenë në fushë. Në këto ndeshje ai ka ofruar 12 gola. Në 6 ndeshjet në të cilat ka munguar argjentinasi, Juventusi ka fituar 3 dhe 2 të tjera i ka humbur. Deri më 13 shkurt, trajneri Allegri shpreson që grupi të gjejë formë të mirë, kjo pasi Dybala do të mungojë për rreth 5 javë. Ngushëllimi i vetëm është fakti se luhet në shtëpi dhe së paku mbështetja e tifozerisë nuk do të mungojë. Për Dybalan ky është lëndimi i tretë që kur ka ardhur në Torino. Dy lëndimet e kaluara kanë qenë gjithashtu muskulore dhe ai nuk ka munguar më shumë se 44 ditë.