Champions, dy surprizat në takim me historinë!

Sport

Së paku 90 minuta, larg takimit me historinë. Surprizat e këtyre gjysmëfinaleve, Ajaksi dhe Tottenhemi shohin në horizont ngjitjen në “Olimpin” e futbollit evropian, siç nuk ndodh prej kohësh. Më afër përplasjes me Liverpulin më 1 qershor duken holandezët, të cilët synojnë të kthehen pas 23 vjetësh në finalen e Ligës së Kampioneve. Hera e fundit ishte në 1996-n, kur në finalen e Romës i thyente Juventusi nga 11-metrat, vetëm 1 vit pasi kishin triumfuar përballë Milanit. Nga atëherë duket sikur ka kaluar një perjëtësi, me breza të tërë futbollistësh të talentuar që nuk arritën të dërgojnë dot Ajaksin sërish deri në atë nivel. Por duhet të kalonin më shumë se dy dekada që De Ligt me shokë të kthenin atë, skuadrën e lavdishme. Aq sa tani gjenden me një këmbë në Madrid, falë atij goli të shënuar një javë më parë në shtëpinë e Totenhemit. E pasi eleminuan si kurrë më parë brenda një edicioni Real Madridin kampion në fuqi dhe Juventusin pretendent, “banda e djemve” nga Amsterdami duhet të kompletojë kryeveprën, thjesht duke administruar atë që shkaktuan në Londër. Një stimul plus, veç rikthimit në finale për herë të 7-të, përbën fakti që kanë mbetur të vetmit në gjendje për të fituar “Tripletën” e trofeve në këtë sezon.


Akoma më historike do të jetë finalja për Totenhemin, një nga 6 skuadrat që nuk kanë provuar kurrë të përjetojnë aktin e fundit të Champions League. Për “Spërs”, edhe mbërritja deri në këtë pikë të kompeticionit më madhor për klube, është unike. Mirëpo për të kompletuar rrugëtimin e jashtëzakonshëm, të besuarit e Pocetinos duhet të gjejnë sekretin e bllokimit të lojës brilante që po shfaq Ajaksi. Mjafton ndoshta të bazohen tek ajo që bënë në pjesën e dytë të takimit të parë, kur londinezët rritën ritmin e lojës dhe presionin ndaj kundërshtarëve. Fundja, përmbysja e Liverpulit ndaj Barcelonës, por mbi të gjitha Champions League në tërësi gjatë këtij viti, ka treguar se nuk ka asgjë të pamundur. Për më tepër, pasi ia doli ta elemiminojë në fushë, Totenhemi pa asnjë përforcim këtë vit, do të kishte mundësinë të dilte edhe mbi City-n e milionave, skuadër e ndërtuar gati çdo sezon për të qenë fituese në Evropë. Por kurrë e aftë për të prekur një finale të futbollit kontinental.