Champions/Bazel, eleminimi surprizë!

Sport

basel

Eleminimi i zviceranëve të Basel ishte surpriza e madhe e ndeshjeve të turit të dytë eleminator të Champions League. Skuadra që ka qenë pjesë e fazës së grupeve në sezonet e fundit, jo vetëm nuk arriti të përmbysë humbjen 2-1 të pësuar në takimin e parë ndaj PAOK, por ka pësuar një disfatë të turpshme me shifrat 0-3 brenda në fushën e tyre. Ky rezultat ka rënduar edhe më shumë situatën në kampin e nënkampionëve të Zvicrës, vetëm 1 javë pas shkarkimit të trajnerit Raphael Vicky, i cili do të zëvendësohet nga Koller, ish-tekniku i Austrisë. Për zviceranët vazhdoi të mungojë i dëmtuari Taulant Xhaka, ndërsa Albian Ajeti nuk arriti dot të gjejë rrugën e rrjetës. Dalja jashtë loje e Bazelit është një lajm i mirë për Liverpool dhe Romën që do të kenë mundësi të jenë pjesë e vazos së dytë në shortin e fazës së grupeve të Champions League që hidhet me 30 gusht.
Ndërkohë, tri ish-kampionë të Evropës, si Ajaks dhe Celtic, Crvena Zvezda, e kanë pasur një formalitet kalimin në turin e tretë. Holandezët fituan 3-1 edhe në fushën e Shturm Gracit, pasi kishin mposhtur 2-0 austriakët në takimin e parë. Tashmë, në fazën tjetër do të kenë një derbi mes skuadrave të “Vendeve të Ulëta” me Standard Liezhin.
Një barazim pa gola në fushën e Rosenborgut ishte i mjaftueshëm për kampionët e Skocisë që të siguronin avancimin e mëtejshëm në kompeticionin evropian, falë edhe fitores 3-1 të fiksuar javën e kalaur në shtëpi. Ndërsa serbët e Crvena Zvezdës e patën gjithçka të lehtë përmes suksesit 2-0 kundër kampionëve të Litanisë, Suduva Marijampole. Tashmë në turin e ardhshëm i pret dueli me Spartakun e Trnavës, që eleminoi Legian e Varshavës.