Champions, Atletico Madrid konfirmon dy raste pozitive me koronavirus

Sport

Ndërkohë që kanë filluar të numërohen orët përpara sfidës së parë çerekfinale të ‘UEFA Champions League’, për Atletico Madrid kanë lindur disa telashe të mëdha. Siç vetë klubi madrilen njoftoi, pas testeve të bëra së fundmi rezultojnë dy individë të infektuar me virusin ‘Covid-19’, çfarë mund të ndërlikojë jo pak situatën për ekipin e Simeones. Sipas protokollit të UEFA-s, të gjitha skuadrat që do të udhëtojnë drejt Lisbonës për të luajtur në ‘Final 8’, janë të detyruara t’u nënshtrohen testeve për koronavirusin dhe të paraqesin këto rezultate tek organet përkatëse në UEFA. Në teste nuk përfshihen vetëm lojtarët, por i gjithë stafi që do të udhëtojë me skuadrën në Lisbonë. Pikërisht gjatë zbatimit të kësaj rregulloreje të protokollit të UEFA-s, klubi i Atletico Madrid ka mësuar se dy individë kanë rezultuar pozitivë. Ende nuk është e qartë se për cilët bëhet fjalë. Madje edhe tek mediat spanjolle ka konfuzion, pasi ‘Marca’ shkruan se vetëm njëri prej këtyre dy rasteve është konfirmuar si lojtar, ndërkohë që ‘AS’ thotë se burimet e saj kanë siguruar se bëhet fjalë për 2 lojtarë të prekur me ‘Covid-19’. Në njoftimin e bërë në rrjetet sociale, klubi i Atletico Madrid shpjegoi se dy individët në fjalë janë izoluar në shtëpitë e tyre, ndërkohë që e gjithë pjesa tjetër e skuadrës, së bashku me stafin, do t’u nënshtrohen të tjera testeve. Gjithashtu, klubi njofton se do të diskutohet me UEFA-n rreth ndryshimeve në planet e bëra më herët, të cilat do të publikohen nga ana e vetë drejtuesve të Atletico Madrid, ndërkohë që kërkohet të ruhet identinteti i dy persona të prekur me ‘Covid-19’. Në rast se tek klubi madrilen do të ketë të tjerë lojtarë të prekur me koronavirus, atëherë Simeone do të duhet t’i zëvendësojë lojtarët në fjalë, ndryshe, kryeqytetasit spanjollë do ta kenë të vështirë të zbresin në fushë përballë Leipzig.