Champions, Allegri konsideron Realin si favorit, por Juventusi ka vetbesim

Sport

Massimiliano Allegri

Massimiliano Allegri e thotë hapur se Juventusi e ka bindjen e duhur për ta fituar titullin e Champions League-ës, por që Reali i Madridit është favorit. Kur mbeten edhe pak ditë nga finalja e madhe e Cardiffit, trajneri italian është përpjekur t’i karikojë të tijët ndërsa në një konferencë për shtyp tha se grupi i lojtarëve është maturuar ndjeshëm krahasuar me finalen me Barcelonën. “Juventusi është në vendin e duhur dhe në momentin e duhur. Kësaj here duhet ta sjellim këtë trofe në shtëpi.” – tha Allegri, sipas së cilit kampjonët e Italisë e kanë merituar prezencën në finale. “Do të shkojmë në Kardif me më shumë vetbesim krahasuar me dy vite më parë, por nga ana tjetër jemi të ndërgjegjshëm se kundërshtarët që kemi përpara janë favoritët” – tha 49-vjecari. Më tej trajneri i Juventusit foli edhe për dilemën e Realit nëse duhet aktivizuar Isco ose Bale. Sipas tij spanjolli është më teknik dhe i jep më shumë zgjidhje Realit, për këtë sipas tij Juventusit i duhet ekuilibër dhe përqendrim total përgjatë gjithë lojës. Trajneri i bardhezinjëve është pranë realizimit të një ëndrre, që është tripleta. Por për këtë pjesë ai ka refuzuar të flasë. Në krye të Juventusit që prej vitit 2014-të, deri më tani Allegri ka fituar 8 trofe. Objektivi madhor është Champions League-a, trofe të cilin bardhezinjtë nuk e fitojnë që prej vitit 1996. Ndërkohë për sa i përket përbërjes së mbrojtjes në finale, 49-vjecari nuk ka preferuar të zbulojë shumë. “BBC nuk do të thotë vetëm Bonucci, Barzagli, Chiellini, por edhe Buffon, Bonucci Chiellini” – ka luajtur me fjalët trajneri i Juventusit.