Çfarë po ndodh mes Conte dhe Perisic?! Zbuloni planet e kroatit

Sport

Ivan Perisic nuk do të jetë më pjesë e Interit. Kjo është ajo që raportohet në mediat italiane, që shtojnë se lojtari kroat nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Antonio Conte. Gjatë fazës përgatitore të kësaj vere, Perisic thuhet se nuk ka bindur dot trajnerin e zikaltërve, i cili ka kërkuar më shumë sakrifica në lojë nga ana e anësorit kroat, diçka që duket se nuk ka marrë përgjigje. Për këtë arsye, Conte u ka kërkuar drejtuesve që lojtari të nxirret në merkato dhe me paratë që mund të arkëtohen prej tij, të arrihet tek ndonjë objektiv konkret i Interit. Pakënaqësitë e tij ndaj Perisic, Conte i ka thënë hapur para mediave, duke deklaruar se nuk ka marrë përgjigje pozitive nga kërkesat e tij, çfarë e bën të dyshojë nëse lojtari mund të përmbushë objektivat. Kështu për drejtuesit lind edhe një detyrë e re, pasi duhet të gjejnë një skuadër që mund të paguajë një shifër të kënaqshme për Interin për shërbimet e Perisic.

Deri një vit më parë, kroati kishte një merkato të pasur, pasi shumë skuadra interesoheshin për të, ndërsa në janar, Arsenali ishte shumë pranë nëshkrimit me të, por marrëveshja nuk u finalizua. Ndërsa për momentin, e vetmja skuadër që ka bërë hapa konkret për 30-vjeçarin është Monaco, që ndjek prej disa javësh situatën e lojtarit. Ai që përfiton nga kjo situatë duket të jeë Matteo Politano, i cili mund të ketë siguruar qëndrimin e tij tek Inter, të paktën edhe për një sezon tjetër. Edhe ky i fundit nuk është ndër të preferuarit e trajnerit Conte, por me largimin e mundshëm të Perisic, për skuadrën milaneze, qëndrimi i Politanos mund të bëhet detyrim.