Çfarë po ndodh brenda skuadrës së Atletico Madrid?

Sport

Pasi po shijon kualifikimin në çerekfinale të Champions League, Atletico Madrid tanimë ka filluar të mendojë për një çështje tepër serioze në organikën e vetë. Duke u bazuar këtu në raportimin e mediave ndërkombëtare, portieri aktual i Rojiblancos, Jan Oblak mund të largohet në fund të sezonit, e më konkretisht në Premier League tek Newcastle United.

Në këtë mënyrë, drejtuesit e klubit spanjoll nuk duan të gjenden të papërgatitur nga kjo situatë dhe janë vënë menjëherë në lëvizje. Objektivi kryesor është piketuar dhe ai quhet Odysseas Vlachodimos, i cili që prej verës së 2018-tës mbron portën e Benficas.

27 vjeçari ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të tjera me peshë të kontinentit, ndërsa vetë shtatlarti është shprehur se patjetër që do preferonte shumë të luante në një prej 5 kampionateve më të fortë të Europës.

Sa i përket Atleticos, Rojiblancos ende nuk i kanë bërë asnjë ofertë konkrete Benficas për gardianin në fjalë, mirëpo mediat ndërkombëtare shprehen me shumë siguri se Diego Simeone e sheh grekun pasuesin ideal të Jan Oblak. Odysseas Vlachodimos është një produkt i futbollit gjerman, teksa është aktivizuar me të rinjtë e Shtutgartit, për të kaluar më pas në skuadrën e parë.

Po ashtu, shtatlarti ka luajtur edhe në Greqi, me Panathinaikosin, dhe më pas u transferua në Portugali tek Benfica. Në fund të këtij edicioni futbollistik do të mësojmë më tepër për të ardhmen e Odysseas Vlachodimos. Një gjë është e sigurt. Ndër vite, Atletico Madrid ka treguar se nuk gabon në përzgjedhjen e portierëve