Borussia Dortmund është kthyer në formën më të mirë të saj, njësoj si në kohët kur në krye të skuadrës ishte Jurgen Klopp. Skuadra verdhezi tashmë gjendet në krye të kampionatit gjerman dhe ende nuk ka pësuar asnjë humbje në këtë sezon. Edhe në Champions League, lojtarët e trajnerit Lucien Favre vazhdojnë të dhurojnë performanca të mira. Në ‘Signal Iduna Park’, gjermanët shënuan 3 herë në pjesën e dytë për fituar takimin ndaj Monacos. Fillimisht rrugën e rrjetës e gjeti 20-vjeçari Jacob-Bruun Larsen në minutën e 51. Paco Alcacer do të gabonte një penallti në të 69-ën, por vetëm 3 minuta më pas do ta zhbënte gabimin kur dyfishoi rezultatin.
Në fund do të ishte radha e Marco Reus të vuloste edhe emrin e tij në këtë sfidë, që më shumë zhyt Monacon në periudhën e errët që po kalon. Skuadra monegaske nuk fiton prej 9 ndeshjesh në të gjitha kompeticionet. Madje të besuarit e Leonardo Jardim kanë arritur vetëm 1 fitore këtë sezon, në javën e parë të ‘Ligue 1’. Trajneri portugez është ai që tashmë përballet me spekulimet e shumta rreth tij. Në Francë, shumë fajësojnë në mënyrë direkte trajnerin në lidhje me këto performanca të dobëta, sidomos në fazën mbrojtëse. Për momentin drejtuesit duket se do kërkojnë t’i japin edhe një shans tjetër Jardim, ndërkohë që kërkimet për zëvendësuesin e tij tashmë kanë filluar.