Soliditet në mbrojtje dhe organizim të përpiktë. Me këto armë, Suedia ka arritur të shkojë përtej parashikimeve, në këtë aventurë të Rusi 2018. Fillimisht i mohuan Italisë ardhjen në Botëror. Më pas dolën të parët në një grup me Gjermaninë kampione bote dhe më pas eleminuan Zvicrën e shqiptarëve. Tani, duket sikur Forsberg me shokë nuk duan të ndalen më. E tashmë do të kërkojnë të rrëzojnë edhe një tjetër skuadër të madhe, si Anglia, në duelin që luhet të shtunën, ora 16:00 në Samara. Skuadra e Southgate vjen më e lodhur, pasi iu deshën penalltitë për të eleminuar Kolumbinë në të tetat e finaleve, duke prekur cerekfinalet për herë të parë pas 12 vjetësh. Gjithsesi, “Tri Luanët” duken më të vendosur se kurrë dhe me oreks të madh, pse jo, për të mbërritur deri në finale. Aq më tepër nëse vëren se në rrugëtimin e tyre nuk kanë ndonjë kundërshtar me emër të madh për të përballuar.
Ajo e cerekfinales së të shtunës do të jetë përplasja e pestë midis Suedisë dhe Anglisë, në një kompeticion madhor. Ndërsa në 4 precedentët e mëparshëm ka një ekuilibër total, me nga 1 fitore për secilën skuadër dhe 2 barazime. Për herë të fundit janë ndeshur në Euro 2012, kur anglezët morën një fitore me shifrat 3-2. Teksa dy përballjet më të hershme janë regjistruar në Botërorët e 2002-shit e 2006-s, kur u fiksuan nga një barazim, respektivisht 1-1 dhe 2-2. Sfida e përpara 12 vjetëve ishte një ndeshje që do të mbahet mend për supergolin e Joe Cole. Ndërsa takimi i parë në absolut, në Europianin e 1992-shit, u fitua 2-1 me përmbysje nga suedëzët. Për sfidën e së shtunës, nordikët do të jenë pa të skualifikuarin Lustig në mbrojtje, ndërsa kthehet Larsson në mesfushë. Kurse Southgate nuk ka probleme formacioni, por thjesht lojtarë të cilëve u duhet të rikuperojnë forcat, pas 120 minutave cfilitëse ndaj Kolumbisë.