Çerek-finalet, Rusia në kërkim të ëndrrës përballë Kroacisë favorite

Sport

rusi kroaci
Avantazhi i të luajturit në shtëpi është tejet i lakmueshëm në futboll. Pikërisht këtë avantazh e ka shfrytëzuar më së miri Rusia, organizatorja e këtij botërori. Skuadra e trajnerit Cherchesov e vazhdoi serinë e surprizave duke eliminuar Spanjën në 1/8-at dhe tashmë në çerek-finale luan gjithçka kundër Kroacisë. Kjo e fundit eliminoi po sikurse Rusia, me penallti, Danimarkën dhe tashmë do të luajë shanset përballë një tjetër skuadre që nuk duhet nënvlerësuar. Kjo është hera e parë, që pas botërorit të vitit 1990 që dy skuadra që kualifikohen përmes penalltive, përballen me njëra tjetrën. Asokohe ka qenë finalja Gjermani-Argjentinë.

kroaci

Sfida aktule, një çerek-finale e këtij botërori, do të luhet në Sochi dhe do të jetë e katërta në historinë e këtyre dy përfaqësueseve. Në tre të kaluarat, 2 kanë qenë në kualifikueset e Europianit të vitit 2008 dhe janë mbyllur në barazim pa gola. Në atë Grup E, Kroacia dhe Rusia lanë jashtë Anglinë. Padyshim të favorizuar duken kroatët, të cilët kanë një organikë me trefishin e vlerës së lojtarëve rus, por nëse ka një mësim të mirë nga ky edicion i 21-të, është fakti se tashmë nuk ka më skuadra të dobëta, pasi Gjermania, Argjentina, Spanja dhe Portugalia janë jashtë! Sidoqoftë në organikë Zlatko Dalicit ka kush i flet për Rusinë. Vedran Corluka luan për Lokomotivën e Moskës, ndërsa asistenti i trajnerit, Ivica Olic, është hero i CSKA-së dhe përpara 13 vitesh, për kontributet e tij, është nderuar me urdhërin e miqësisë së mirë.