Nuk ka të ndalur Endri Cekici me golat e tij, që kanë peshë jo të vogël edhe në fitoret e arritura nga Olimpja Ljubjanës në Slloveni. Pogradecari është bërë sërish protagonist edhe sa i takon javës së 11-të të kampionatit, duke shënuar një supergol për ekipin e tij në transfertë ndaj Domzhales. Skuadra e shqiptarit shënoi e para në minutën e 16-të, por vendasit barazuan shumë shpejt, duke vendosur ekuilibrin e shifrave. Por, menjëherë, për të kaluar sërish Olimpijan në avantazh mendoi pogradecari. Ai realizoi tjetër gol shumë të bukur në minutën e 33-të, duke goditur me të majtën nga jashtë zone dhe duke dërguar topin drejt e në fundin e rrjetës. Aq sa nuk i la asnjë shans portierit kundërshtar.
Ndryshimi nga golat dhe ndeshjet e kaluar ishte prania e një “tifozi” special në stadium për të ndjekur sulmesin. Pikërisht mësohet se vetë trajneri i Kombëtares, Edi Reja ka udhëtuar drejt Sllovenisë për ta shikuar 22-vjecarin në veprim. Kjo shton më tepër sinjalet se për Çekiçin ndoshta po bëhet gati një ftesë nga kuqezinjtë. Gjithsesi, ende gjithcka mbetet për t’u konfirmuar.
Ndërkaq, Olimpja e Çekiçit mund të buzëqeshë pak me rezultatet e arritura, duke mbajtur përkohësisht vendin e parë me 24 pikë. Kurse Maribor, fituesi i 15 kampionateve, ndjek nga pas, me tre pikë më pak. Nga ana tjetër Çekiçi renditet në listën e shënuesëve më të mirë, me 4 gola, duke shpresuar se tashmë është afër edhe debutimit me Kombëtaren e madhe, pasi më parë ka qenë pjesë e Shpresave kuqezi.