Cekici nuk ndalet, shënon edhe Qose në Sllovaki!

Sport

Ndonjëherë mjafton thjesht që të nisësh dhe më pas të mos dish të ndalesh. Kjo duket se ka vlejtur edhe për Endri Çekiçin. Pas golit të shënuar në javën e shkuar, futbollisti pogradecar dhe pjesë e U-21 të Shqipërisë dikur, ka shënuar në fitoren 4-2 që skuadra ku luan ai, Olimpija Ljubjana ka arritur ndaj Triglavit në javën e 31-të të kampionatit slloven. Çekiçi, në minutën e 59-të të duelit, dërgoi në 3 numrin e golave për skuadrën e tij pas një aksioni në krahun e majtë. Ndërsa pak minuta më vonë, përsëri shqiptar dha asistin për golin e katërt. Në aspektin personal, për Cekicin ishte goli i dytë radhazi, ndërkohë që Ljubjana me këtë tripikësh të marrë, arriti të konsolidojë vendin e dytë të renditjen e kampionatit.


Mirëpo veç Endrit Çekiçit, të dielën shënoi edhe një tjetër lojtar që është në rrethin e përfaqësueses kuqezi. Ndonëse jo më në Slloveni, por në Sllovaki. Për më tepër, goli i shënuar nga Kristi Qose me skuadrën e Ruzomberokut, pati një rëndësi më të madhe, përderisa e gjiti ekipin e mesfushorit në vendin e tretë, që të dërgon në Kupat e Evropës. Suksesi 3-2 ka ardhur ndaj Slovan Bratislavës dhe pikërisht goli i Qoses, i cili së fundi është bërë pjesë edhe e Kombëtares tonë, ishte vendimtar. Kjo, përderisa ndeshja shkoi 3-1 dhe në fund 3-2, pasi një goli të miqve. Për Qosen, ky ishte goli i shtatë në 19 ndeshje me fanellën e Ruzomberokut, ku u transferua pasi një eksperience të kaluar në Greqi me PAOK.