Mund të thuhet se Endri Çekiçi është shndërruar në goleadorin e Olimpijas së Ljubjanës në Slloveni. Ai ka shënuar përsëri, këtë radhë një dygolësh kundër Rudarit, duke ndihmuar që skuadra e tij të arrijë një fitore 2-1 me përmbysje. Ky ishte dygolëshi i parë pas shumë kohësh për pogradecarin, i cili shkon në kuotën e 5 golave në 8 ndeshje kampionati, ndërsa ka shënuar pa pushim në 5 javët e fundit. Aq sa tashmë e ka bërë një prej lojtarëve me rendiment të pabesueshëm, jo vetëm brenda Sllovenisë, por ndoshta edhe jashtë saj. Kështu, Çekiçi po tregon se është duke kaluar një periudhë fantastike me Olimpijan e Ljubjanës, ku u transferua në janar.
Gjithashtu, edhe Elis Bakaj vazhdon të shënojë rregullisht në kampionatin bjellorus të futbollit në këtë fillim sezoni, duke ndihmuar Shakhtor Soligorsk të konfirmohet si një pretendente e fortë për titullin. Sulmuesi shqiptar ka qenë një nga protagonistët në suksesin e fundit 3-0 përballë Dinamos së Minskut. Bakaj shënoi golin e dytë të ndeshjes, me 11-metërsh në minutën e 74-t, vetëm 2 minuta pasi u aktivizua për miqtë një njohje e vjetër e futbollit shqiptar, si Enis Gavazaj, i bashkuar pak kohë më parë me skuadrën nga Minsku. Ndërkohë, deri tani numërohen 7 gola në këtë sezon për Bakajn, 3 prej të cilëve në kampionat pas 8 ndeshjeve të luajtura. Kaq ka mjaftuar që Soligorsk të ngjitet në kreun e renditjes së kampionatit bjellorus.