Ceferin: “Në Tiranë mund të ketë shpejt një finale evropiane”

Sport

Përtej ndeshjes me kampionët e Botës, vëmendje të madhe mori edhe përurimi i stadiumit të ri, i ngritur nën gërmadhat e “Qemal Stafës” së vjetër. Interesimi dhe entuziazmi ishte në nivelet më të larta për këtë impiant. Teksa përveç personaliteteve dhe autoriteve shqiptare, i ftuari kryesor me këtë rast ishte presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin. Kreu i qeverisë së futbollit evropian nuk e fshehu kënaqësinë që institucioni që ai drejton dha kontributin e tij në ndërtimin e këtij stadiumi, duke shtuar se shpreson që në të ardhmen ky impiant të presë një finale evropiane.
“Shqipëria e ka shansin për të pritur një finale Europiane. Por nuk do të ishte korrekte nga ana ime që të jepja premtime”, u mjaftua të deklarojë Ceferin.


Numri një i futbollit evropian pati një axhendë të ngarkuar teksa si fillim u takua me kryeministrin Edi Rama, ndërsa më pas vizitoi nga pranë “Shtëpinë e Futbollit”, duke mbajtur gjithashtu edhe një konferencë për shtyp në ambientet e stadiumit të ri, duke vënë theksin tek zhvillimi i futbollit në Shqipëri.
“Futbolli shqiptar ka shumë talente, por duhet të shkoni më tej. Gjithçka fillon nga investimi në infrastrukturë. Skuadrat duhet të jenë më të forta. Gjithsesi, jeni në rrugën e duhur dhe do e shikoni se me aq shumë talente sa ka Shqipëria, besoj se suksesi i mëtejshëm do të jetë më shumë se një raund kualifikimi edhe në kompeticionet evropiane”, u shpreh nr.1 i futbollit europian. Ndër të tjera, kreu i UEFA-s tha se organizmi që ai drejton ka një politikë të tolerancës 0 të racizmit, por pa mbështetjen e qeverive nuk mund të luftojmë dot asgjë. E vetmja gjë që mund të bëjë UEFA është të edukojë shoqërinë dhe kryesisht fëmijët.

 

Gjithashtu, Ceferin u dekorua nga presidenti i Republikës, Ilir Meta me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” kreun e UEFA-s, ”për kontributin e çmuar dhe angazhimin e tij personal, në mbështetje të zhvillimit cilësor të futbollit në Shqipëri”.