Sistemi i Video-asistencës teknike në gjykim nuk do t’i kishte ndryshuar asgjë penalltisë së Realit ndaj Juventusit në Champions League, është ky gjykimi i numrit 1 të UEFAS, Aleksander Ceferin. Kreu i Federatës Evropiane të futbollit foli hapur në një intervistë për gazetën italiane La Gazzetta dello Sport duke thënë se sistemi VAR nuk do të ndërfutet në Champions League deri përpara sezonit 2019-2020. Sipas zyrtarit më të lartë të futbollit Evropian sistemi në fjalë ka ende shumë gjëra për të rregulluar dhe provat aktuale nuk kanë dhënë shumë besim. Sidoqoftë Ceferin tha hapur se në rastin e golit të anuluar ndaj Manchester City-it në Champions League, VAR-i mund të kishte ndihmuar shumë.
“Në rastin City-Liverpool, videoasistenca mund të kishte zgjidhur situatën, por do të kishte nxjerrë edhe të tjera pikëpyetje. Kurse për penalltinë kundër Juventusit, them se as VAR-i s’do kishte bërë gjë, pasi ende ka njerëz që megjithëse pamjet i kanë parë qindra herë, mbeten të dyzuar është apo jo penallti” – tha Ceferin. Duke folur për hakërrimin e Buffonit ndaj gjyqtarit Oliver, sllovaku kritikoi fjalët e portierit dhe tha se e kuptonte sfrustimin e tij për faktin se penalltia vinte në minutën e 93-të. Për sa i përket debatit VAR jo VAR, FIFA është organi që duket se po e mbështet më fort, megjithatë UEFA sipas Ceferinit nuk e ka thënë kurrë se është kundër teknologjisë, por thjesht kërkon më tepër kohë.