Ceballos lavdëron rivalët e Liverpool, thotë se…

Sport

Dani Ceballos është një nga ata emra që pritet t’i japë një tjetër fytyrë skuadrës së Arsenal gjatë këtij sezoni. Spanjolli erdhi tek ‘topçinjtë’ si huazim nga Real Madrid, teksa për të ishin gati paguanin më shumë se 40 milionë euro shumë klube të mëdha europiane. Tek londinezët Ceballos ka filluar të përshtatet mirë dhe deri më tani ka treguar cilësitë e tij të larta teknike sa herë që trajneri Unai Emery ia ka dhënë mundësinë të zbresë në fushë. Megjithatë, elozhet e mesfushorit spanjoll shkojnë për kampionët e Europës, Liverpool, për të cilët Ceballos ka një respekt të madh. 22-vjeçari u shpreh i mahnitur nga ajo që kishte parë në ‘Anfield’ dhe kishte ndjerë aq shumë emocione sa herën e parë kur kishte luajtur për Real Madrid.

Ceballos shtoi se nuk kishte parë kurrë një skuadër të luajë në të atillë mënyrë, të ushtroj presion aq të lartë gjatë gjithë lojës dhe të mbështet në të atillë mënyrë nga tifozët vendas. Lojtari i Arsenalit e pranoi hapur se për momentin skuadra e tij nuk mund të krahasohet me atë të Jurgen Klopp, i cili i ka kthyer Liverpool-it identitetin e dikurshëm. Por Ceballos beson plotësisht tek aftësitë e trajnerit të Arsenal, Unai Emery. Spanjolli deklaroi se tekniku i ‘topçinjve’ i ka të gjitha mundësitë për të ndërtuar një skuadër të ngjashme me atë të kampionëve të Europës. Lojtarët cilësorë në organikën e ekipit nuk mungojnë, por Ceballos pranoi se për të përballuar një kampionat kaq intensiv e të fortë sa ‘Premier League’-a, mund të jetë e nevojshme të bëhen edhe dy blerje të tjera gjatë janarit.