Cavani në dyshim serioz për cerekfinalen me Francën

Sport

edison

Dygolëshi i tij ndaj Portugalisë i dha mundësinë Uruguajit të mbërrijë në cerekfinalen e këtij Botërori. Por prania e Edison Cavani për ndeshjen e radhës që luhet të premten kundër Francës, është në dyshim të madh. Ishte vetë Cristiano Ronaldo që e shoqëroi deri jashtë vijave kufizuese të fushës, pas dhembjeve që pati për shkak të një dëmtimi në pulpë gjatë lojës. Menjëherë pas ndeshjes, i shqetësuar për atë që i kishte ndodhur, vetë “El Matador” kishte deklaruar se shpresonte në një rikuperim sa më të shpejtë: “Sigurisht do të bëj ç’mos për të qenë përballë Francës. Të shohim…”. Shpresa ende nuk është shuar, por hipoteza për të luajtur cerekfinalet e Botërorit mund të jetë tepër e ndërlikuar për sulmuesin. Kjo të paktën kuptohet nga rezultatet e analizave të kryera nga ai dhe të publikuara nga Federata Uruguajane e Futbollit, sipas të cilës është evidentuar një edemë në muskulin e këmbës së majtë, por pa thyerjen e fibrave muskulorë. Si pasojë, lojtari i cili ka ende dhembje, do të kryejë një punë të diferencuar dhe një riaftësim fizioterapik. Me progreset e tij që do të vlerësohen ditë pas dite.

cavani

Më e keqja është mënjanuar, por dëmtimi muskulor është gjithsesi një problem jo pa rëndësi. Madje i redukton së tepërmi mundësitë për ta shikuar në fushë kundër skuadrës së shokut të tij te PSG, Mbappe. Por vetë uruguajani do të bëj ç’mos që të jetë në fushë e prandaj ka nisur një garë me kohën, edhe pse e di se do të jetë tepër e vështirë.
Që mungesa e tij do të jetë një minus i madh për formacionin e Tabarez, këtë e kanë pranuar edhe në kampin francez. Asistenti i Didier Deschamo, Guy Stephan ka shpejguar se prania ose jo e Cavani në fushë do të bëjë diferencën: “Ne po e përgatisim ndeshjen me idenë që do të jetë. Ai është një lojtar i rëndësishëm për Uruguajin. Dhe natyrisht që nuk do të jetë e njëjta gjë nëse nuk do t’ia dalë dot të rikuperohet nga dëmtimi”, ishin fjalët e krahut të djathtë të Deschamp, i vetëdijshëm se mosriaftësimi i Cavanit do të ishte avantazh për “Gjelat”.