Casillas pëson infarkt në zemër gjatë stërvitjes…

Sport

Momente frike dhe paniku kanë përcjellë stërvitjen e ditës së mërkurë tek skuadra e Portos, pasi portieri Iker Casillas ka pësuar një atak në zemër. Pasi ka marrë ndihmën e parë nga mjekët e skuadrës, 37-vjeçari është shoqëruar menjëherë drejt një spitali në Oporto, ku ka marrë kujdesin e duhur mjekësor. Gjendja e spanjollit raportohet të jetë tashmë e stabilizuar, por mes familjarëve dhe kolegëve të tij frika nuk ka kaluar. Sezoni i spanjollit me ‘dragonjtë’ e Portos do të mbyllet këtu, por me gjasa Casillas do t’i japë fund karrierës së tij. Bota e futbollit ka reaguar menjëherë duke i dërguar mesazhe për urim të shpejtë portierit që ka luajtur më shumë se 15 vite me fanellën e Real Madrid dhe atë të kombëtares spanjolle.

Klube të ndryshme apo edhe personazhe të botës së sportit ose jo, kanë shprehur mbështetjen e tyre për Iker Casillas, që gjithmonë është parë si një sportist model në të gjitha aspektet. Mes Real Madrid, Portos dhe kombëtares spanjolle, Casillas numëron plot 881 ndeshje të luajtura, ku ka arritur të fitojë më shumë se 28 trofe madhor, mes të cilëve 3 Champions League, 5 kampionate spanjollë dhe 1 Kupë Bote. Klubi i Portos dhe më pas edhe vetë Casillas, nëpërmjet rrjeteve sociale kanë qetësuar tifozët duke u shprehur se çdo gjë tashmë ka kaluar. Casillas do t’i nënshtrohet analizave të tjera të hollësishme për të parë se si do të vijojë trajtimi i tij, dhe vetëm më pas, spanjolli, i cili më 20 maj mbush 38 vjeç, së bashku me klubin do të marrin një vendim final rreth të ardhmes së tij.