Loris Karius vazhdon të jetë lojtari më i përfolur i Liverpool-it pas finales së Champions League, për shkak të gabimeve të tij që rezultuan të ishin fatale. Në mbështetje të portierit gjerman tashmë ka dalë një nga emrat më të njohur të futbollit botëror, Iker Casillas. Ish-gardiani i portës së Real Madrid dhe kombëtares së Spanjës ka folur në një event të “La Liga”-s në Madrid në lidhje me performancën e portierit të Liverpool në finalen e Kievit. Fillimisht, portieri aktual i Portos thotë se është ndjerë shumë keq kur ka parë ato episode, për shkak së e di shumë mirë se çfarë do të thotë të gabosh në të atillë mënyrë.
“Sigurisht që jam i lumtur që Real Madrid fitoi por nuk mund të ndihem mirë për Karius. E njoha atë në raundin e 1/16-ave dhe është një djalë i shkëlqyer. Një portier kurrësesi nuk mund te ndihet mirë nëse diçka e atillë i ndodh një kolegu.”-shprehet Casillas. Spanjolli i krahason gabimet e Karius kundër Real Madrid me ato që vetë Casillas bëri në botërorin e Brazilit në vitin 2014, në sfidën që Spanja humbi 1-5 ndaj Holandës. Ai shton se situata të tilla i përjetojnë të gjithë portierët, por rasti i Karius ishte ndryshë për shkak se luhej finalja e Champions League-ës. Njësoj si portieri i Liverpool-it, edhe Casillas tregon se pas ndeshjes me Holandën në 2014-n, e kishte të vështirë të largonte mendjen nga ato episode, por gjithësesi sipas tij, këto janë të gjitha pjesë të eksperiencës.