CAS shuan polemikat në Rumani, titulli i shkon Viitorulit dhe jo Steauas

Sport

statat

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lausanne të Zvicrës i dha titullin kampion të Rumanisë skuadrës së Gheorghe Hagit duke i dhënë kështu fund një polemike të madhe që zgjaste që prej 5 qershorit. Steaua e Bukureshtit pretendonte titullin kampjon edhe pse Viitoruli i Konstantës e kishte ngritur atë me gëzim pas kampjonatit të rregullt. Pretendimi nga klubi i ish-politikanit dhe biznesmenit kontravers Gigi Becali, vinte pasi të dyja skaudrat e kishin mbyllur fazën e dytë të kampjonatit me pikë të barabarta 44. Në Bukuresht theksonin se klubi i tyre meritonte titullin për faktin se në tërësi kishte rezultate më të mira të përballjeve direkte me Viitorulin. Por në Lausanne Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka vendosur që në akordimin e titullit të merreshin parasysh vetëm përballjet në fazën e dytë, atje ku Viitoruli rezultonte më e suksesshme. Kështu titulli i ka shkuar klubit të krijuar dhe drejtuar nga ish-futbollisti i njohur Gheorghe Hagi. I ashtuquajturi “Maradona e Karpateve” e themeloi skuadrën vetëm 8 vite më parë në qytetin e Konstantës buzë Detit të Zi dhe ka mundur të korrë një histori suksesi të denjë për përralla. Por përralla nuk ndalet me këtë titull të parë, pasi tanimë Viitoruli, që në shqip do të thotë Ardhmëri, ka shanset të luajë edhe në Champions League, kjo pasi duke qenë kampjone do të presë në turin e tretë eliminator një short më të volitshëm krahasuar me Steauan e Bukureshtit.