Carlo Ancelotti trajneri i Real Madrid:

Sport

“Skuadra është në gjendje të mirë, ndihet e motivuar dhe e përqendruar. Na pret një sfidë e madhe. Sonte kemi mundësinë të kualifikohemi në një tjetër finale të Champions League. E dimë vështirësinë e kësaj ndeshjeje, por kemi besim. Gjithçka është e hapur. Vijmë me një disavantazh të vogël dhe këtë duam ta përmbysim në shtëpinë tonë. Kjo është një mundësi e artë për ne. Pasi kemi fituar kampionatin, atmosfera është pozitive dhe jemi besimplotë se mund t’ja dalim mbanë.

E kemi të qartë planin tonë. Në mbrëmje të tilla, duhet rrezikuar. Nëse mbyllemi prapa, atëherë mund të mbrojmë më mirë, por në ndeshje si këto, ju duhet të rrezikoni për të shënuar më tepër gola. Ne e kemi kualitetin për ta bërë këtë.

Duhet të sillemi ndryshe nga takimi i parë. Kemi nevojë për një performancë më solide në prapavijë. Nuk duhet të kemi presion, në mënyrë që të luajmë mirë me pasimet mes linjave. Kjo nuk do të thotë se do luajmë të ngjeshur në mbrojtje, përveçse në disa momenteve të ndryshme. Skuadra duhet të jetë e bashkuar dhe nevojitet një lojë e njëtrajtshme. Këtu jemi në Champions League, e për këtë arsye, personaliteti është shumë i rëndësishëm. Nuk përjashtohen as aftësitë individuale. Këto janë mbrëmje, ku duhet të japim më shumë sesa maksimumin.

Formacioni? Nuk kam aspak dyshime. Alaba nuk do luajë, sepse nuk është gati fizikisht. Në vend të tij do jetë Nacho. Kjo mund të jetë një mbrëmje e gjatë, e për këtë arsye, është shumë e rëndësishme të kuptojmë se cilët lojtarë do e fillojnë lojën dhe cilët do e përfundojnë. Alaba është thelbësor për ne, mirëpo kjo është një lojë kolektive dhe Nacho gjithashtu ka bërë shumë mirë. Ai zotëron eksperiencën e duhur dhe unë jam i bindur se ai do luajë një ndeshje të madhe.

Po ashtu, rikthimi i Casemiros është mjaft thelbësor për ne, pasi na përforcon në aspektin mbrojtës, aty ku duhet të tregojmë rritje dhe më tepër bashkëpunim me njëri-tjetrin. Kemi punuar në këtë drejtim dhe mendoj se kjo do vërehet në fushën e lojës”.