Real Madrid nuk do të marrë pjesë në Botërorin e Klubeve. Diçka të tillë e ka konfirmuar trajneri Carlo Ançelotti, i cili është shprehur se gjithçka ka të bëjë me çështjen financiare. Sipas numrit një të stolit të 15 herë kampionëve të Europës, FIFA do të shpërndajë shumë pak të ardhura për skuadrën fituese, kështu që pjesëmarrja në një kompeticion të tillë, është një sakrificë që nuk shpërblehet.
“Fifa duhet të harrojë që lojtarët, apo klubet të marrin pjesë në atë kompeticion. Vetëm një ndeshje e Real Madrid garanton më tepër se 20 milionë euro të ardhura, çka përkon me shumën totale që do të përfitojë skuadra triumfuese përgjatë gjithë turneut. Kaq janë shumë pak. Real Madrid, ashtu edhe klubet e tjera, do ta refuzojnë ftesën”, ka deklaruar ndër të tjera trajneri italian, duke i dhënë në këtë mënyrë një mesazh të drejtpërdrejtë organizatores së Botërorit të Klubeve, Fifa-s.
Duke nisur që nga vera e ardhshme, Botërori i Klubeve do të zhvillohet nga 15 Qershori, deri në 13 Korrik, ku pjesëmarrëse do të jenë 32 skuadra.