Carlo Ançelotti nuk rrezikon të shkarkohet nga Real Madrid. Pavarësisht turpërimit të skuadra e teknikut italian mori në finalen e Superkupës së Spanjës, duke u mundur 5-2, diçka që shkaktoi një tërmet të fortë në radhët e Los Blancos, e duke nxjerrë në pah disa probleme, sërish, Ançelotti, për momentin konsiderohet i paprekshëm.
65 vjeçari ka besimin e palëkundur të të gjithë bordit drejtues, duke nisur nga presidenti Florentino Perez, e për të vijuar më pas me krerët e tjerë.
Megjithatë, nga shtypi spanjoll, por jo vetëm, është raportuar gjithashtu, se situata në dhomat e zhveshjes së Realit nuk është më edhe aq pozitive. Siç thuhet, disa lojtarë të Merengues, kanë nisur të dalin kundër ideve të Ançelottit, pasi nuk janë të kënaqur me filozofinë e lojës së italianit përgjatë këtij sezoni.
Nuk dihet se ç’do të ndodhë në të ardhmen, por besohet se Ançelotti po e mban vendin e punës për shkak se Reali është në garë në kompeticionet e tjera, si Champions League, kampionat, apo edhe Kupë, kështu që humbja e finales së Superkupës, nuk ka qenë mjaftueshëm për ta larguar 65 vjeçarun nga stoli i Los Blancos. Në “Santiago Bernabeu” besojnë se në fund të sezonit, skuadra do të fitojë sërish trofe të rëndësishëm.