Carlo Ançelotti flet përpara finales: Dua trofeun e Champions League

Sport

Carlo Ançelotti kërkon trofeun e pestë të UEFA Champions League si trajner. Pak ditë përpara finales së madhe, në 1 Qershor ndaj Borussia Dortmund në Uembley, numri një i stolit të Real Madrid ka folur për mediat, teksa ndër të tjera, ka treguar një konsideratë të lartë për kundërshtarin, duke e cilësuar Dortmundin një ekip që meriton shumë respekt, pasi përgjatë rrugëtimit sezonal në Champions, ka eliminuar skuadra të mëdha, sikurse Atletico Madrid në çerekfinale, apo PSG në gjysmëfinale.

“Përballë Dortmundit nuk do të jetë e lehtë. Ata janë një skuadër e fortë, të cilët, në pak sekonda mund të organizohen në kundërsulm dhe të të ndëshkojnë. Për të kuptuar forcën e tyre, mjafton të përmendim këtu që në çerekfinale dhe gjysmëfinale, ata eliminuan ekipe si Atletico Madrid, apo PSG. Megjithatë, ne do të shkojmë në Uembley për të fituar, pasi duam të rikthehemi në Madrid me trefeun e 15-të të Champions Legaue. Do të zbresim në fushë me sjelljen e duhur. Do të përpiqemi ta shijojmë ndeshjen dhe privilegjin që të jep një finale e tillë”, ka deklaruar ndër të tjera tekniku italian.

Në karrierën e tij të lavdishme si trajner, Carlo Ançelotti e ka fituar 4 herë titullin e Champions League, më shumë se kushdo tjetër, ndërsa në Uembley do të ketë mundësinë për ta thelluar edhe më shumë rekordin e tij, me 5 trofe të Champions Legaue.