Carlo Ançelotti flet me bindje për të ardhmen e tij

Sport

Carlo Ançelotti beson se do të jetë në krye të Real Madrid edhe për sezonin e ardhshëm. Eliminimi në gjysmëfinalen e Champions League, në një mënyrë gati-gati turpëruese nga Manchester City, për shumëkënd, mund të ketë tronditur stolin e italianit në Santiago Bernabeu. Megjithatë, vetë 64 veçari është i qetë dhe i bindur se ai do vazhdojë të qëndrojë në krye të Los Blancos, edhe për edicionin tjetër, atëherë kur përfundon kontrata e tij.

“Edicionin tjetër unë do të jem këtu, duke luftuar për një tjetër trofe të Champions League. për mua nuk ka asnjë dyshim. Presidenti ishte shumë i qartë në deklaratën e tij disa ditë më parë. Ne kemi biseduar me njëri-tjetrin mbi këtë temë, por nuk mund të bëj asgjë publike”, ka thënë ndër të tjera Ançelotti.

Tekniku italian, e mbyll sezonin e tij të dytë në Bernabeu me 3 tituj të fituar, duke nisur me Superkupën e Europës, Botërorin e Klubeve dhe me Kupën e Mbretit. Mirëpo, dorëzimi shumë shpejt në kampionat, më tepër sesa 10 pikë prapa Barcelonës, e po ashtu humbja e thellë 4-0 ndaj Manchester Cityt në gjysmëfinalen e kthimit të Champions League, në opinionin sportiv janë konsideruar si shkaqe të mjaftueshme që aventura e dytë e Ançelottit në radhët e 14 herë kampionëve të Europës të konsiderohet e mbyllur.

Sezoni futbollistik nuk ka përfunduar ende, pavarësisht se Reali nuk ka se për çfarë të luftojë tjetër. Në rrethana si këto, mbetet për t’u parë në merkaton e verës, se çfarë vendimi do të marrin drejtuesit e klubit mbi të ardhmen e trajnerit Carlo Ançelotti.