Carlo Ançelotti do të jetë trajneri i ardhshëm i Brazilit

Sport

Gjithçka duket e kryer. Në verën e 2024tës, Carlo Ançelotti do të emërohet trajner i kombëtares braziliane të futbollit. Njoftimin e ka bërë të ditur vetë presidenti i Federatës së Brazilit, Ednaldo, i cili ka deklaruar se palët kanë rënë parimisht dakord.

Kësisoj, sezoni 2023/24 do të jetë i fundit i Ançelottit në krye të Real Madrid, atëherë kur në fakt, përfundon edhe kontrata e tij.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, menjëherë sapo të përfundojë marrëveshjen me 14 herë kampionët e Europës, për Ançelottin nuk do të ketë asnjë ditë pushim. Ai do të marrë drejtimin e Brazilit dhe do ta udhëheqë përfaqësuesen në turneun e Copa America, që fillon në muajin Qershor dhe përfundon në Korrik. Ky turne, këtë herë do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e Ançelotti do të përpiqet që të lërë gjurmë, që në nisje të projektit të tij.

Ndërkohë, përgjatë këtyre 12 muajve, Brazili do të udhëhiqet nga Fernando Diniz, i cili aktualisht është edhe trajner i Fluminenses.

Nga ana tjetër, në lidhje me këtë çështje, ende nuk ka një reagim nga Real Madrid. Klubi Los Blancos është i përqendruar në merkaton e verës, aty ku synon ende përforcimin e skuadrës.