Megjithëse u kritikua jo pak pas humbjes së fundjavës së shkuar në Rennes, Lorik Cana e nisi titullar sfidën e prapambetur të kampionatit që Nantë luajti të mërkurën në Bastia, duke e barazuar 0-0. Në përgjithësi, paraqitja e kapitenit të Shqipërisë ishte pozitive, duke kryer disa ndërhyrje të rëndësishme.
Në minutën e 72-të Cana u zëvendësua, për shkak të një problemi në kavilje. Vetë mbrojtësi ka deklaruar pas ndeshjes së bëhet fjalë për një dhembje që i është rishfaqur e nuk duket se i kalon prej dy javësh. “Por do të bëj disa analiza për të kuptuar sesa i rëndë është ky problem”, tregoi Cana, i cili e ka konsideruar të rëndësishme pikën e marrë nga Nantë, pas tronditjes që pësoi përballë Rëne. “U treguam robustë ndaj një ekipi si Bastia, që është e fortë në shtëpi. Me zemër e dëshirë, ia dolëm të rikuperojmë forcat pas humbjes turpëruese të së dielës. Tani duhet të konfirmojmë gjithçka në përballjen me Angers që kemi në fundjavë”, tha mbrojtësi kuqezi. Cana beson se Nantë ka ende shanse për të zënë një vend në zonën e Kupave të Europës, që është 3 pikë larg.
Ndërkohë, pas kritikave të ditëve të fundit, një vlerësim kundrejt kapitenit të Kombëtares shqiptare ka ardhur nga presidenti i Nantë, Valdemar Kita, i cili e ka konsideruar Lorikun si një nga liderët e skuadrës, që do ta ndihmojë Nantë për të reaguar pas dy zhgënjimeve të javës së kaluar: eleminimit nga Kupa dhe humbja e rëndë në derbi.