Caktohen gjysmëfinalet e Nations League. Të katërta çerekfinalet e kthimit kanë dhuruar spektakël, teksa Gjermania eliminoi Italinë, me rezultatin e përgjithshëm 5-4. Pasi panzerat fituan 2-1 në San Siro, ndeshja e dytë në Dortmund Stadion u mbyll 3-3. Rezultoi një pjesë e parë fantastike për Gjermaninë, që po fitonte 3-0, por në të dytën, italianët arritën të barazonin shifrat. Kjo ishte hera e parë në historinë e Gjermanisë, që del pa fitore në një ndeshje, në të cilën ishte në avantazhin e 3 golave.
Megjithatë, në fund, fitues doli skuadra e drejtuar nga Julian Nagelsmann. Në gjysmëfinale, Gjermania, do të luajë me Portugalinë, që në çerekfinale, eliminoi Danimarkën me rezultatin e përgjithshëm 5-3.
Më tej, gjysmëfinalja tjetër, do të luhet mes Spanjës dhe Francës. Iberikët, kaluan mes 4 më të mirave të Nations League, pas fitores me penallti ndaj Hollandës. Të dyja takimet e luajtura mes palëve, qoftë në De Kuip, apo edhe në Mestalla, u mbyllën në barazim 2-2, kështu që ishin penalltitë që vendosën se cila skuadër do të kualifikohej për më tej.
Po me penallti, Franca eliminoi Kroacinë dhe siguroi një vend në gjysmëfinale. Ballkanasit fituan 2-0 ndeshjen e parë, mirëpo u mundën po me të njëjtin rezultat në Stade de France. Nga ruleta ruse, gjelat u treguan më të saktë dhe siguruan kualifikimin.
Gjysmëfinalet do të zhvillohen më muajin Qershor, në Gjermani, në datat 4 dhe 5, kurse në datën 8, do të luhet finalja, që do të përcaktojë gjithashtu edhe fituesin e këtij viti të Nations League.