Fakti që e nisi ndeshjen finale të Superkupës nga stoli nuk është sinjal se Luka Modric do të largohet nga Real Madridi, përkundrazi. Kroati u aktivizua në pjesën e dytë në Superkupën e Europës, në humbjen 2-4 ndaj Atleticos së Madridit, por thjesht për faktin se ka nisur përgatitjet më vonë sesa pjesa tjetër e skuadrës. Prandaj nuk ka vend për asnjë interpretim tjetër. Këtë e ka bërë të qartë edhe drejtori sportiv i kampionëve të Evropës, Emilio Butragueno, i cili konfirmuar se mesfushori kroat nuk ka për të shkuar tek Interi, duke i mbyllur derën transferimit të tij.
“Nuk ka asnjë çështje “Modric” dhe ju konfirmoj se lojtari është i kënaqur që do të vazhdojë të luajë me ne edhe sezonin e ardhshëm”, u mjaftua të deklarojë Butragueno, duke mbyllur mundësinë e transferimit të nënkampionit të botës te zikaltërit. Trajneri Spalletti dhe tifozët interistë nuk duhet të presim më për 32-vjeçarin, që me sa duket do të mbetet për ta “ëndrra e një nate vere”. Përderisa kroati do të rinovojë kontratën dhe do të ketë rritje rroge nga Reali, gjë që do ta bëjë të qendrojë në Madrid. Nga ana tjetër, ditët e fundit është përfolur se do të jetë mesfushori danez Christian Eriksen (Tottenham) ai që do të shkonte tek madrilenët në vend të Modric, por të paktën për momentin duket se nga Madridi nuk do të ketë asnjë largim “big”. Drejtuesit e “Los Blancos” mund të tentojnë vetëm ndonjë afrim të rëndësishëm deri në mbyllje të merkatos së verës në Spanjë që, ndryshe nga Seria A, përkon me fundin e muajit gusht.