Bundesligë, Bayerni fiton titullin. Rekord historik nga Muller dhe Coman

Sport

Bayern Munich nuk njeh limite. Në javën e 31 të kampionatit, bavarezët shpallen kampionë të Bundesligës për sezonin 2021/22. Ky është titulli i 35-të në historinë e klubit. Një trofe që merr  rëndësi të veçantë, sepse është i 10-ti radhazi i fituar nga gjermanët. Sa i përket 5 ligave kryesore të kontinentit, asnjë klub tjetër në historinë e futbollit nuk ka mundur të fitojë dot kaq shumë kampionate radhazi. Afrohet vetëm Juventusi me 9-të, por bardhezinjtë u ndalën në edicionin e kaluar.

Sigurisht që triumfi i një titulli kampion është një arritje e jashtëzakonshme, por ky është një sukses që merr më tepër vlerë kur fitohet përballë rivalit historik. Kështo ndodhi me Bayernin, që u shpall kampion, duke mposhtur 3-1 verdhezinjtë e Borussia Dortmund në Allianz Arena.

Veç të tjerash, ky ishte titulli I parë kampion për Julian Nagelsmann si trajner. Mirëpo nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dy futbollistë të Bayernit, të cilët vazhdojnë të shkruajnë gjurmë të pashlyeshme në futboll. Me 11 Bundesliga të fituar në karrierën e tij, Thomas Muller, bëhet lojtari i parë në historinë e futbollit gjerman që fiton kaë shumë tituj kampionë.

Më tej, ndonëse është vetëm 25 vjeç, Kinglsy Coman ka arritur të fitojë titullin e 10-të kampion në karrierë. 7 prej të cilave janë me Bayernin, 2 me PSG dhe 1 me Juventusin.

Pas këtij suksesi historik, bavarezët tashmë do e përqendrojnë vëmendjen tek një sërë çështjesh të rëndësishme brenda klubit, sikurse janë rinorimi i kontratave me futbollistë si Thomas Muller, Manuel Neuer, apo Robert Lewandowski.