Bundesliga, Stuttgart rrit pretendimet për Woltemade; drejtori i Bayern konfirmon interesimin

Sport

Drejtuesit e Stuttgart-it e patën bërë të qartë ditë më parë se sulmuesi Nick Woltemade, shihet si qendër referimi për formacionin e sezonit të ardhshëm. Pavarësisht interesimit të shumë skuadrave të mëdha, mes të cilave edhe Bayern, tek Stuttgart-i vijojnë të bëjnë rezistencë. Një tjetër hap në këtë drejtim është bërë edhe duke vendosur çmimin e kërkuar për kartonin e 23-vjeçarit. Duke qenë se Woltemade nuk ka një klauzolë largimi të parashikuar në kontratën e tij, tek Stuttgart-i tani pretendojnë plot 80 milionë euro për ta lënë të lirë shtatlartin. Kjo shifër, është 2 herë më shumë se sa ajo që vetë klubi pretendonte rreth 2 muaj më parë. Bayern-i është përfolur shpesh si destinacioni i mundshëm për të ardhmen e Woltemade, me bavarezët që janë përpjekur të bëjnë hapa konkretë për siguruar firmën me të. Mediat gjermane zbulojnë se kampionët e Gjermanisë nuk kanë ndërmend të paguajnë më shumë se sa 50 milionë euro për Woltemade, ndëkrohë që drejtori Eberl e ka marrë me të qeshur pretendimin e Stuttgart-it. Në një intervistë të shkurtër për mediat, Eberl u shpreh se nuk e sheh çmimin prej 80 milionë eurosh apo më shumë si diçka e drejtë për kartonin e Woltemade, por sipas tij, secili klub ka të drejtën të ketë pretendimet e veta. Shumë mendojnë që ky çmim është vendosur pikërisht për të përfituar sa më shumë nga arkat e bollshme të Bayern-it, diçka që Eberl e hodhi poshtë, duke thënë se marrëdhëniet mes dy klubeve janë shumë të mira. Tek Bayern-i ende nuk kanë këmbëngulur në këtë operacion, duke qenë se në formacionin titullar, kanë garanci me Harry Kane, por për bavarezët, Woltemade mund të ishte një investim shumë i rëndësishëm për të ardhmen.