BUNDESLIGA, REKORD I RI NGA NOAH ATUBOLU

Sport

Në të njëjtën ditë që Harry Kane rriti numrin e 11 metërshave të konvertuar rradhazi në Bundesliga, portieri i Freiburg, Noah Atubolu bëri të njëjtën gjë për ndalimin e tyre. Ndërsa Kane shënoi penalltinë e 17   në fitoren e Bayern, 4-1 ndaj Hoffenheim, edhe rekordi i Atubolu-t nuk është më pak impresionues. Freiburg fitoi 3–0 në fushën e Werder Bremen, por heroi i ndeshjes ishte portieri 23-vjeçar. Në minutën e 59-të, kur rezultati ishte 2–0, ai ndali penalltinë e Romano Schmid, duke vendosur një rekord të ri në Bundesliga: pesë penallti të pritura rradhazi. Ironikisht, edhe penalltia e fundit që kishte pritur ishte po ndaj Bremenit, ndaj portugezit André Silva në Shkurtin e këtij viti. Më herët, ai kishte ndalur nga pika e bardhë, Florian Wirtz ndaj Leverkusen, si dhe Volland e Juranović ndaj Union Berlin. Sezonin e kaluar, Atubolu vendosi një tjetër rekord, duke mbajtur portën e paprekur për 576 minuta. Por ai nuk ishte i vetmi portier në qendër të vëmendjes këtë javë. Një ditë më herët, Nikola Vasilj i St. Paulit priti penalltinë e Angelo Stiller në ndeshjen ndaj Stuttgart, në minutën e 24-të, kur rezultati ishte ende 0–0. Për Vasilj ishte penalltia e 6 që priti në 7 të fundit në Bundesliga. Përqindja më e lartë në histori, 86 përqind, mes portierëve që kanë pritur të paktën dy penallti.