Harry Kane shkëlqeu sërish me një tregolësh në fitoren 4–1 të Bayern Munich ndaj Hoffenheim në javën e katërt të Bundesligës. Me dy penallti të realizuara, sulmuesi anglez jo vetëm i dha skuadrës së Vincent Kompany një tjetër fitore të lehtë, por vendosi edhe një rekord historik. Kane ka shënuar tashmë 17 herë rradhazi nga pika e bardhë në kampionatin gjerman. Asnjë lojtar tjetër në historinë e Bundesligës nuk ka konvertuar kaq shumë penallti pa asnjë gabim në gjuajtje. Ai barazoi rekordin e Hans-Joachim Abel me penalltinë e minutës së 48-të, për ta kaluar më pas me golin e 77-të. Ndërsa Abelit iu deshën nëntë sezone dhe disa skuadra gjermane si Fortuna Düsseldorf, Bochum dhe Schalke për të arritur në 16 penallti. Kane e theu këtë shifër vetëm në fillim të sezonit të tretë në Gjermani, tek Bayern. Historia e tij nisi që në vitin 2023 ndaj Augsburgut kur mposhti Finn Dahmen në raundin e 2, për të vijuar me katër penallti të tjera atë sezon, përpara se të shndërronte në gol 9 pasardhëset në edicionin 2024/25. Ai u ngjit në kuotën e 15 penalltive në raundin e 3 në shtëpi ndaj Hamburg. Dhe vazhdoi në transfertë me dy goditjet e sakta ndaj Hoffenheim.
