BUNDESLIGA, NEUER PRANE RIKTHIMIT TE GJERMANIA

Sport

Portieri i Bayern Munich, Manuel Neuer u tërhoq nga Kombëtarja e Gjermanisë pas eleminimit në ¼ finalet e UEFA EURO 2024, por pas paraqitjeve të këtij viti kalendarik, 39 vjeçari po përflitet gjithnjë e më shumë për një rikthim të mundshëm në prag të Botërorit të ardhshëm. “Vendimi për tu tërhequr ishte personal dhe i menduar mirë,” tha Neuer në pritjen që iu bë skuadrave të djemve dhe vajzave të Bayern në Kancelarinë e shtetit të Bavarisë. “Ndaj kjo nuk është një çështje që më përket. Tani jam i përqëndruar vetëm në klub, te Bayern Munich – kemi shumë për të fituar këtë sezon” – e mbylli ai. Por a ka vend për manovra? Fjalët e Neuer nuk lënë hapësirë për keqinterpretim por megjithatë mund të gjëndet një rrugë drejt përfaqësueses në një moment të caktuar. Në intervistën e fundit për shtypin gjerman, agjenti i tij, Thomas Kroth shpjegoi se – “Manu nuk do ti përgjigjej negativisht një kërkese nga Julian Nagelsmann”. Nëse është vërtetë ky rasti, duhet të presim për ta kuptuar. Por ajo që dihet është numri i lartë i legjendave të futbollit gjerman që kërkojnë kthimin e Neuer në Kombëtare për botërorin amerikan.