E ardhmja e Granit Xhakës duket të jetë ende e paqartë. Edhe pse konsiderohet si një nga pikat më të forta të skuadrës së Leverkusen, emri i mesfushorit me origjinë shqiptare është përfolur shpesh gjatë kësaj merkatoje verore, për shkak të interesimeve të vazhdueshme nga klube të ndryshme për transferimin e tij. Milani mendohej se kishte bërë hapa konkretë për afrimin e 32-vjeçarit, por oferta prej 10 milionë eurosh nga ana e kuqezinjve ka qenë e pamjaftueshme për të kënaqur kërkesat e Leverkusen. Po ashtu u përfol edhe një rikthim i mundshëm në Angli, ku ende ka shumë skuadra që e simpatizojnë, apo një kalim drejt Arabisë Saudite, por edhe në këtë rast, kërkesat e klubit gjerman, që zotëron kartonin e Xhakës, nuk janë përmbushur. Konkretisht, ishte skuadra e Neom SC, të sapongjitur në elitën e futbollit të Arabisë Saudite, që nuk ka rënë dakord për 20 milionë eurot e kërkuara për kartonin e Xhakës.
Për të hedhur sadopak ‘dritë’ mbi situatën e lojtarit, ka folur së fundmi edhe drejtori sportiv i Leverkusen, Simon Rolfes. Ai përsëriti se Xhaka mbetet një element kyç i skuadrës së tyre dhe dëshira e të gjithëve është që mesfushori të vijojë të jetë pjesë e ‘aspirinave’. Duke qenë se lojtari ka ende edhe 3 vite kontratë me Leverkusen, klubi gjerman nuk ka ndërmend ta lejojë të largohet me një shifër të ulët dhe Rolfes e konfirmoi këtë. Për të, Xhaka është një nga ata që mund të jetë e vështirë të zëvendësohet, jo vetëm për shkak të paraqitjeve në fushën e blertë, por edhe për atë se çfarë përfaqëson jashtë saj.
Së fundmi, Sunderland u bë pjesë e listës së klubeve që dëshirojnë të firmosin me Xhakën, diçka kjo e konfirmuar edhe nga burime pranë lojtarit. Megjithatë, ende nuk ka asnjë marrëveshje konkrete, ndërkohë që Rolfes shtoi se lista e atyre që dëshirojnë kartonin e mesfushorit, vazhdon të zgjatet dita-ditës.