Benjamin Sesko konsiderohet si një nga sulmuesit më të mirë në futbollin europian. Shpesh, emri i tij është përfolur në merkato si objektiv i disa prej klubeve më të mëdha të kontinentit, mirë çmimi i kartonit të tij, i pretenduar nga Leipzig, ka bërë që një skenar i tillë të mos bëhet realitet. 22-vjeçari slloven thuhet se ka kërkuar të ndryshojë skuadër, diçka që përfaqësuesit e tij ua kanë komunikuar edhe drejtuesve të Leipzig, por një gjë te tillë do të ndodhë vetëm nëse për të vjen oferta e duhur. Një të tillë duket se ka bërë skuadra e Al Hilal, që është gati të mbulojë me para Sesko për të pranuar kalimin në Arabinë Saudite. Për të marrë në zotërim kartonin e Sesko, Al Hilal është gati t’i paguajë Leipzig plot 100 milionë euro, ndërkohë që për vetë lojtarin, është gati një kontratë, ku bashkë me pagën, bonuset dhe të drejtat e imazhit, arrihen një shifër prej thuajse 40 milionë eurosh në sezon. Por pavarësisht këtij propozimi të çmendur nga Al Hilal, mediat gjermane konfirmojnë se për momentin, Sesko nuk e ka pranuar. Sulmuesi slloven kërkon të qëndrojë në Europë e të luajë në nivelet më të larta dhe ende shpreson se ndonjë nga klubet e mëdha të kontinentit do të paguajë shifrën e nevojshme për transferimin e tij. Nga ana tjetër, oferta e Al Hilal mbetet ende në fuqi dhe Leipzig ka rënë parimisht dakord për të lëshuar kartonin e 22-vjeçarit, i cili gjatë ditëve në vazhdim, do të marrë një vendim me shumë peshë për të ardhmen e tij. Benjamin Sesko u bë pjesë e Leipzig në janarin e vitit 2023, kur u transferua nga skuadra e Salzburg për shifrën e 24 milionë eurove. Që nga momenti kur u bë pjesë e skuadrës gjermane, Sesko numëron 87 ndeshje të luajtura në rang klubesh, me 39 gola të realizuar e 8 asiste, çfarë e kanë vendosur mes më të mirëve në rolin e tij.
