Xavi Simons është padyshim një nga lojtarët më të dalluar e të rëndësishëm të Leipzig në sezonet e fundit. Pasi luajti për më shumë se një vit si i huazuar nga Paris Saint-Germain, drejtuesit e klubit gjerman ia dolën të gjenin marrëveshjen për trasnferimin e plotë të tij në janarin e kaluar, për një shifër që i kaloi 50 milionë eurot. Por nga ajo që raportojnë mediat gjermane, Simons mund ta mbyllë aventurën e tij si lojtar i Leipzig gjatë kësaj merkatoje verore. Chelsea dhe Manchester United janë futur në garë për të siguruar shërbimet e tij, me ‘blutë’ e Londrës që kanë bërë hapa konkretë në këtë drejtim. Përfaqësues të lojtarit kanë patur disa biseda me drejtuesit e Chelsea-t, të cilët thuhet se brenda kësaj jave do të nisin edhe tratativat zyrtare me klubin e Leipzig. Për të lënë pas konkurencën e rivalëve të Manchester United apo edhe të Arsenalit, që së fundmi kanë dhënë sinjale interesimi për lojtarin holandez, tek Chelsea janë gati të paguajnë menjëherë 65 milionë euro. Leipzig pretendon diçka më tepër, që mund të llogariten në formë bonusesh e çfarë do ta çonte vlerën e marrëveshjes në më shumë se 70 milionë euro. Nga ana tjetër, vetë lojtari e ka dhënë pëlqimin e tij për këtë transferim. Duke parë edhe largimet e mundshme të yjeve të tjerë të skuadrës, si Benjamin Sesko apo Lois Openda, Simons mendon se nuk duhet të presë më nga projekti i klubit gjerman. Një kalim tek Chelsea pëlqehet nga vetë lojtari dhe familja e tij, ndëkrohë që arritja e një marrëveshjeje sa i përket pagës, bonuseve dhe komisionit nuk duket të jetë një problem për arkat e klubit londinez. Ata të Chelsea-t e shohin Xavi Simons si emrin e duhur për ta vendosur në krah të Cole Palmer, duke bërë një tjetër investim të rëndësishëm, që shihet edhe në planin afatgjatë.
