Sezoni i kaluar ishte shumë larg pritshmërive të drejtuesve të Leipzig. Skuadra gjermane nuk ia doli të arrinte objektivat e vendosur si në kampionatin gjerman, edhe në ‘Champions League’, çfarë po shtyn drejtuesit e klubit të bëjnë ndryshime të rëndësishme në këtë merkato verore. Një pjesë e mirë e lojtarëve që do të rikthehen nga huazimet e tyre, sërish nuk do të gjejnë vend në skuadër, duke e bërë të sigurtë largimin gjatë verës. Bëhet fjalë për sulmuesin portugez Andre Silva, fantazistin Eljif Elmas dhe gjermanin Timo Werner, të cilë luajtën të huazuar respektivisht tek Werder Bremen, Torino dhe Tottenham. Të 3 këta lojtarë nuk duket se bëjnë pjesë në planet e Leipzig dhe përfaqësuesve e agjentëve të tyre, u është komunikuar për të gjetur sistemim diku tjetër, nëse nuk duan ta shohin veten në stol përgjatë gjithë sezonit të ardhshëm. Për momentin, asnjë nga skuadrat që i angazhoi lojtarët me formulën e huazimit nuk ka bërë përpjekje për blerjen e kartonit, prandaj gjermanët i kanë vendosur në listën e largimeve. Për Timo Werner dhe Andre Silva u mendua të kishte një mundësi të dytë, në rast largimi të Benjamin Sesko apo Lois Openda-s, por edhe nëse ndonjë prej këtyre dy emrave largohet, klubi ka vendosur të ndjekë e të afrojë profile të tjera. Për Silva-n, shpresohet transferimi tek ndonjë skuadër tjetër e Bundesliga-s, por nuk përjashtohet as mundësia e rikthimit në Portugali. Për Elmas mund të shqyrtohet edhe njëherë kalimi në formë huazimi, ndërsa ende nuk ka një direktivë të qartë për të ardhmen e Werner. Për kartonin e tyre, Leipzig pati shpenzuar në total rreth 67 milionë euro, investim ky që mesa duket nuk do të kthehet pas për klubin gjerman.
