Borussia Mönchengladbach njoftoi se Tim Kleindienst ka nënshkruar një kontratë të re me klubin, e cila do ta mbajë në “Borussia-Park” deri në verën e vitit 2029.
30 vjeçari Kleindienst iu bashkua Gladbach-ut, Qershorin e vitit 2024 nga Heidenheim me një kontratë katërvjeçare. Ai ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës në sezonin e tij të parë, me 16 gola në 31 ndeshje në Bundesliga, si dhe 7 asist, çka i sollën edhe ftesën e parë në kombëtaren e Gjermanisë.
Lëndimi në gju, në ndeshjen e parafundit të sezonit të kaluar, e ka mbajtur jashtë fushave deri tani. Ka qenë një fillim i vështirë për Gladbach-un pa kapitenin dhe golashënuesin kryesor dhe vetëm fundjavën e kaluar ata arritën fitoren e parë në Bundesliga, duke mposhtur St. Pauli-n 4-0 falë dy golave të Haris Tabaković.
Kleindienst, i cili ka shënuar 4 gola në 6 ndeshje me Gjermaninë gjatë vitit të fundit, është rikthyer në stërvitje gjatë javës, duke zhvilluar seanca individuale me topin dhe synon një kthim të shpejtë në fushë.
Megjithatë, ai do të jetë në tribunë ndeshjen e së shtunës në “Borussia-Park”, kur Gladbach luan derbin e Rinit ndaj Köln-it.