Nga kriza në garë për kreun, u deshën 8 muaj dhe Niko Kovaç për transformimin e Dortmundit në “Signal Iduna Park”. Mbërritja e kroatit e gjeti skuadrën në vendin e 11-të por ja doli ta mbyllte sezonin 2024/25 si një tren i pakapshëm: 22 pikë në 8 ndeshjet e fundit dhe një kualifikim i pabesueshëm në UEFA Champions League. 4 muaj më vonë, ecuria e vazhdon. Me 13 pikë nga 15 të mundshme këtë sezon, Dortmundi qëndron pas Bayern Munich. Fitorja 1-0 ndaj Mainz në javën e 5 erdhi nw jubileun e Kovaç që drejtoi ndeshjen e 200-të në Bundesligë. Ky është starti më i mirë i Dortmundit në kampionat që prej 8 vitesh, ndërsa kroati ka fituar 2.16 pikë për ndeshje, më mire se çdo paraardhës në klub. Sekreti duket se është mbrojtja. Kalimi nga katër tek një linjë me tre mbrojtës kundër Mainz më 30 Mars, ndryshoi gjithçka. Që prej asaj fitoreje 3-1, vetëm Bayerni ka mbledhur po aq pikë sa Dortmundi. Vetëm tre gola të pësuar këtë sezon dhe katër ndeshje radhazi me portën e paprekur. Rikthimi i Nico Schlotterbeck nga dëmtimi në menisk, është një tjetër plus i madh në mbrojtje. Përveç mbrojtjes, Kovaç ka edhe garanci të larta në sulm. Serhou Guirassy ka qenë i pandalshëm: goli i tij me kokë ndaj Heidenheim e bëri lojtarin e parë të Dortmundit që shënon në tetë ndeshje radhazi në Bundesliga që prej Pierre-Emerick Aubameyang një dekadë më parë. Kovaç e krahason në nivel të barabartë me Kane dhe Haaland. Në të njëjtën kohë, edhe Karim Adeyemi po kalon një formë të shkëlqyer: 15 gola plus assist nga muaji Mars.
