Bundesliga, Dortmund kërkon shumë për Gittens; Haller dhe Moukoko drejt largimit

Sport

Ndërkohë që skuadra është e angazhuar në botërorin e klubeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, drejtori sportiv i Dortmundit, Sebastian Kehl, vijon punën në merkato. Verdhezinjtë pritet të bëjnë ndryshime të rëndësishme të organikës së skuadrës përpara nisjes së sezonit të ri, teksa së fundmi është folur shumë për interesimin e disa klubeve me peshë të kontinentit për yllin e ri, Jamie Bynoe-Gittens. Edhe Bayern është mes klubeve të interesuara për anësorin angelz dhe mund të shtyjë për transferimin e tij, sidomos pas tërheqjes së Chelsea-t. Por tek Dortmundi nuk e shohin të domosdoshme shitjen e Gittens në këtë moment. Mediat gjermane raportojnë se verdhezinjtë nuk do të dëgjojnë asnjë ofertë nën 65 milionë euro. Deri më tani, mes drejtorit sportiv të verdhezinjve, Kehl dhe atij të Bayern, Elber, nuk ka patur diskutime për këtë çështje, por me gjasa, pas përfundimit të botërorit të klubeve, gjërat mund të marrin drejtimin e duhur.

Ndërkohë emra si Sebastian Haller dhe Youssoufa Moukoko nuk duket të bëjnë më pjesë në planet e Dortmundit. Haller nuk ia ka dalë mbanë të rifitojë formën e mëparshme dhe vendin e titullarit tani e mban Guirassy, që ka provuar se është goleadori që i nevojitet verdhezinjve. Ndërsa Moukoko, dikur një nga talentet më premtues të gjeneratës së tij, po dështon për të bërë hapin e madh. Të dy lojtarët janë në listën e atyre që mund të largohen gjatë merkatos së verës dhe Sebastian Kehl është hapur për të biseduar shifrat, në rast se ndonjë skuadër do të shfaqë interes për transferimin e tyre.