Bundesliga, Dortmund, Gittens gjithnjë e më pranë largimit; Chelsea rikthehet në garë

Sport

Jamie Gittens ishte një nga lojtarët që dalloi me paraqitjet e tij tek Dortmundi në sezonin që lamë pas. Anësori anglez u shfaq si një rrezik konstant për mbrojtjet kundërshtare, duke tërhequr edhe vëmendjen e disa skuadrave me performancat e tij. Chelsea ishte ndër skuadrat e para të interesuara për shërbimet e 20-vjeçarit, por për shkak të një ‘ngërçi’ financiar, klubi anglez u tërhoq nga tratativat. Në mediat gjermane qarkulloi lajmi se edhe Bayern Munich po e studionte situatën e Gittens dhe se ka patur një takim mes drejtorit sportiv të bavarezëve, Max Eberl dhe numrit 1 të verdhezinjve, Hans-Joachim Watzke. Ishte ky i fundit që hodhi poshtë gjithçka, duke i quajtur gënjeshtra ato që fliteshin nëpër media. Edhe drejtori i Dortmundit, Sebastian Kehl, u shpreh pak ditë më parë se deri më tani nuk ka asnjë ofertë zyrtare në drejtim të Gittens. Por Chelsea mesa duket nuk ka hequr dorë nga një operacion i tillë. Klubi anglez është rikthyer në garë për shërbimet e lojtarit, duke mbajtur të hapur kontaktet, ndonëse ende nuk ka një ofertë zyrtare. Mediat angleze raportojnë se ‘blutë’ janë duke shtyrë në gjetjen e një marrëveshjeje për Gittens, pavarësisht se Dortmundi pretendon të paktën 65 milionë euro për shërbimet e tij. Ende nuk është e qartë formula e realizmit të këtij operacioni, pasi Chelsea mund të përfshijë edhe kartonin e ndonjë lojtari. Gjithësesi, nga ajo që kuptohet, shumë shpejt do të vijë një ofertë zyrtare e klubit anglez për kartonin e talentit 20-vjeçar dhe Dortmundi duhet të përgatitet për të gjithë skenarët e mundshëm.
Autor i 12 golave dhe 5 asisteve në sezonin e shkuar mes ‘Champions League’-ës dhe kampionatit gjerman, Gittens ishte lojtari që krijonte më shumë raste të rrezikshme tek Dortmundi. Po ashtu, ai ishte edhe dribluesi më i mirë i skuadrës, çfarë shkon me lojën dinamike që preferon anësori. Në të fëmijërinë e tij, Gittens ka kaluar kohë tek akademia e Chelsea-t, Reading dhe Man.City, por ishte Dortmundi që i besoi plotësisht, derisa erdhën paraqitjet e mira në skuadrën e parë.