Harry Kane, Luis Díaz, Manuel Neuer dhe vetë Bayern Munich shkruan faqe të reja në librin e rekordeve të Bundesligës, pas fitores 3-0 ndaj Eintracht Frankfurt në raundin e 6. Pas një sezoni ku shënuan 99 gola dhe rimorën titullin kampion me një diferencë prej 13 pikësh, bavarezët e Vincent Kompany kishin vendosur një standard të lartë. Por pas 6 javëve të para të sezonit 2025/26, ata e kanë ngritur edhe më shumë atë. Një rrufe në qiellin e Frankfurt – vetëm 15 sekonda pas fillimit, Luis Díaz shënoi golin e parë, duke barazuar rekordin e klubit për golin më të shpejtë jashtë fushe, vendosur sezonin e kaluar nga Jamal Musiala. Ky është gjithashtu goli i 12-të më i shpejtë në historinë e Bundesligës. Harry Kane nuk mbeti pas. Me një goditje të saktë nga jashtë zonës, anglezi realizoi gol nr. 11 në kampionat këtë sezon – një rekord absolut në historinë e Bundesligës pas vetëm 6 javësh. Në këtë ritëm, rekordi historik i Robert Lewandowskit me 41 gola në një sezon duket tashmë në horizont. Me golin e dytë të Díaz, Bayern-i arriti në 25 gola të shënuar në 6 ndeshje – asnjë skuadër në historinë e Bundesligës nuk e ka arritur këtë kuotë kaq shpejt. Nëse kujtojmë që Musiala apo Alphonso Davies – dy nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës – mungojnë për shkak dëmtimesh, e bën këtë arritje edhe më mbresëlënëse. Ndërkohë, Manuel Neuer regjistroi një tjetër ndeshje pa pësuar gol, duke u bërë portieri me më shumë ndeshje pa pësuar gol në historinë e klubit, 222 në total, duke e përforcuar statusin e tij si një legjendë e gjallë e Bayern Munich. E thënë ndryshe, një tjetër ditë historike për plurikampionët, që shfaqen më të fortë se kurrë.
