Bundesliga, Bayern refuzohet nga Liverpool; Luis Diaz nuk lëviz nga Merseyside

Sport

Luis Diaz nuk do të bashkohet me Bayern Munich. Kolumbiani do të vijiojë të jetë pjesë e Liverpool-it edhe për sezonin e ardhshëm, pasi klubi anlgez ka hedhur poshtë çdo mundësi për largimin e tij. Të kontaktuar nga drejtori i Bayern, Max Eberl, tek Liverpool-i nuk kanë pranuar as të hapin negociatat për të shitje të mundshme të kartonit të Diaz, duke e konsideruar anësorin 28-vjeçar si të pashitshëm për momentin. Tek Bayern e kishin marrë në konsideratë rezistencën e Liverpool-it dhe ishin bërë gati për një ofertë të rëndësishme, që i kalonte 70 milionë eurot, mirëpo anglezët nuk kanë lënë hapësira as për bisedime. Kështu, kampionët e Gjermanisë duhet të zhvendosin vëmendjen për të gjetur diku tjetër zëvendësuesin e Leroy Sane. Transferimi i Bradley Barcola mbetet si operacioni më i realizueshëm, pasi francezi e ka humbur vendin e titullarit tek PSG dhe do të ishte i hapur për një aventurë të re. Teksa është pjesë e skuadrës në botërorin e klubeve, Barcola numëron deri tani më shumë se 60 ndeshje të luajtura në këtë sezon, me 21 gola e 20 asiste. Këto shifra solide të 22-vjeçarit justifikojnë edhe pretendimet e larta të klubit francez për kartonin e tij, që arrin në thuajse 75 milionë euro. Një tjetër alternativë e menduar nga Bayern është edhe braziliani i Arsenalit, Gabriel Martinelli. 24-vjeçari ka karakteristikat e duhura për bavarezët, por edhe në këtë rast, do të hasin në rezistencën e Arsenalit, që nuk kërkon të heqë dorë nga anësori.