Aktualisht, bordi drejtues i FC Bayern München AG përbëhet nga dy individë – Jan-Christian Dreesen dhe Max Eberl. Ish Drejtori Financiar Michael Diederich u largua një javë më parë, ndërsa Rouven Kasper nga VfB Stuttgart do t’i bashkohet klubit më 1 janar. Megjithatë, një pozicion drejtues mbetet ende për t’u plotësuar. Nga ana sportive, gjërat po ecin pozitivisht: Bayern ka filluar sezonin në mënyrë perfekte, me 10 fitore në 10 ndeshje zyrtare. Loja, përkushtimi dhe atmosfera në skuadër janë në përputhje me standardet e kampionëve të shumfishtë. Trajneri Vincent Kompany e ka skuadrën nën kontroll, grupi funksionon dhe Oktoberfest shërbeu si moment bashkimi. Me pak fjalë – gjithçka duket në rregull te bavarezët. Megjithatë, jashtë fushës mbeten disa çështje organizative për t’u zgjidhur. Që prej largimit të Diederich, CEO Jan-Christian Dreesen ka marrë përsipër përkohësisht departamentin financiar, një rol që e kishte edhe më parë nga viti 2013 deri në 2023, para se të merrte drejtimin e bordit pas largimeve të Oliver Kahn dhe Hasan Salihamidžić. Më 1 janar, Rouven Kasper do ta zgjerojë sërish bordin në tre anëtarë, duke mbuluar marketingun dhe shitjet. Ka gjasa që, siç ndodhi më 2023 me Diederich, Kasper të emërohet menjëherë zëvendës CEO – përveç nëse drejtori sportiv Max Eberl përfiton nga një promovim i mundshëm. Presidenti Herbert Hainer, në rolin e tij si kryetar i Këshillit Mbikëqyrës, është përgjegjës për përshtatjen e strukturës organizative. Ai njihet si mbështetës i fortë i Eberl, pasi ishte ai që e solli në klub në vitin 2024 dhe tani është shumë i kënaqur me punën e tij, veçanërisht me merkaton e verës së fundit. Eberl është në klub prej një viti e gjysmë, ndërsa Kasper, që nga viti 2016 deri më 2021, ka qenë pjesë e Bayernit si drejtues i zyrës në Shanghai, duke e njohur mirë strukturën e klubit. Në prag të asamblesë së përgjithshme më 2 nëntor, kur Hainer pritet të rizgjidhet president, ai po kërkon të ruajë stabilitetin maksimal në klub dhe do t’i propozojë Këshillit Mbikëqyrës kandidatin e tij për zëvendësin e CEO-s Dreesen.
