Bundesliga, Bayern, Musiala merr 10-n e Sane; klubi në kërkim të një zëvendësuesi

Sport

Leroy Sane do të jetë pjesë e Galatasaray-t në sezonin e ardhshëm, duke u larguar pas plot 5 vitesh nga skuadra e Bayern Munich. Anësori lë hapësira të rëndësishme në ekipin e trajnerit Kompany, me klubin që ende nuk ka siguruar një zëvendësues për të.

Ndërkohë, me largimin e Sane, numri 10 që mbante mbi shpinë ka mbetur i lirë, por jo për shumë kohë. Ashtu siç pritej, fanella me numrin 10 tashmë i ka kaluar atij që mendohet të jetë fytyra e Bayern në këtë dekadë, Jamal Musiala. KJo është një lëvizje domethënëse për klubin dhe vetë Musiala-n, pasi këtë fanellë e kanë mbajtur disa nga emrat më të mëdhenj të klubit, si Roy Makaay, Lothar Matthaus, Uli Hoenes apo Stefan Effenberg.

Sa i përket vendit të lënë bosh nga Sane, Bayern po shqyrton disa alternativa. Emri i fundit i shtuar në listë, është ai i Luis Diaz. Kolumbiani  ka bërë vazhdimisht paraqitje të mira në radhët e Liverpool-it, që vështirë se mund të heqin dorë kollaj nga 28-vjeçari. Diaz zhvilloi 50 ndeshje në të gjitha kompeticionet, me 17 gola të shënuar e 8 asiste, por duke shfaqur edhe një rritje të rëndësishme të performancës së tij në mbrojtje. Kërkesat financiare të Liverpool-it thuhet se mund të shkojnë mbi 70 milionë euro,  shifër që për arkat e një klubi si Bayern nuk janë të papërballueshme. Megjithatë, bavarezët do të jenë të kujdesshëm në përzgjedhjen finale, duke u mbështetur edhe në kërkesat e trajnerit Kompany. Xavi Simmons i Leipzig dhe Bradley Barcola i Paris St.Germain shihen po ashtu si mundësi të mira, që mund të kushtojnë edhe më pak se sa Luis Diaz, ndonëse edhe në këtë rast, si Leipzig, edhe Parisi janë përgatitur për të bërë rezistencë.