BUNDESLIGA, BAYERN BEHET GATI TE RINOVOJE ME OLISE

Sport

Te Bayern Munich kanë nisur diskutimet e brendshme për rinovimin e kontratës së Michael Olise, edhe pse bisedimet zyrtare me përfaqësuesit e lojtarit ende nuk kanë filluar. Objektivi është që talenti ofensiv të qëndrojë në klub përtej vitit 2029. 23-vjeçari u transferua nga Crystal Palace në verën e vitit 2024 për 53 milionë euro dhe shkëlqeu që në sezonin e pare ku shënoi 12 gola e dha 16 asist në Bundesliga. Ai është bërë menjëherë një lojtar kyç dhe, së bashku me Jamal Musialën, shihet si fytyra e sulmit të ri të bavarezëve. Por rreziku ekziston. Në rastin e Musialës, Bayern nguroi gjatë për rinovimin dhe rrezikoi ta humbiste përballë ofertave të majme nga Premier League. Tani një skenar i ngjashëm mund të përsëritet me Olise, i cili ndiqet nga afër nga Manchester City dhe Liverpool. Rritja e rrogës do ta vendoste në nivelin e duhur, por mund të binte ndesh me politikën e re të klubit për uljen e shpenzimeve. Megjithatë, Bayern e sheh Olise-n në planin afatgjatë, jo vetëm për aftësitë në fushë, por edhe si lider potencial dhe model për skuadrën. Ajo që do të përcaktojë të ardhmen e tij është nëse bavarezët mund t’i garantojnë rregullisht një projekt fitues në Champions League.