Buffon: Po pati Zot, Champions duhet ta fitojë…

Sport

ddqwertio.jpg

Ndryshe nga një vit më parë, këtë herë me Juventusin e ka të pamundur të jetë në finalen e Champions League. Mirëpo, Gigi Buffon nuk ka frikë të shfaqet në rolin e tifozit, teksa ka folur pa “doreza”, duke dalë qartësisht kundër Real Madridit.
Gardiani i portës së kampionëve të Italisë ka zgjedhur të bëjë tifozllëk për Atleticon e Madridit. Ai shpreson në një hakmarrje të “Colconeros”, edhe pse e di që ‘Los Blancos’ janë favoritët. “Dy vjet më parë Atletiko ishte vërtet e pafat, kur humbi pasi pësoi në fund golin e barazimit. Besoj shumë te shanset e dyta që të ofron jeta. Prandaj, nëse ekziston një drejtësi hyjnore, të shtunën them se do triumfojë Atletiko”, ka deklaruar Gigi.
Buffon e di se do të jetë mjaft e vështirë për skuadrën e Simeones, pasi Reali ka më shumë eksperiencë në ndeshje të tilla dhe niset favorit. Megjithatë e konsideron Atletikon si një ekip të vështirë për t’u mundur, që ka një stil të veçantë loje dhe organizim.
Gjithashtu, portieri veteran ka folur edhe për Kampionatin Evropian, duke thënë se Spanja, Gjermania e Franca janë tri favoritet. Kurse si surprizë sheh Belgjikën, pasi ka një brez shumë të talentuar. Sa i takon Italisë e pranon se gjendet në vështirësi, pasi është një periudhë e keqe në përgjithësi për futbollin italian, pa harruar as dëmtimet e Marchisios e Verratit. Gjithsesi, Italia reagon në momente të vështira, prandaj Buffon ka besim se edhe këtë herë do të bëjë më të mirën.