Buffon ndahet me ‘Zonjën’ pas 17 vjetësh por s’e lë futbollin!

Sport

buffon

“Ajo ndaj Veronës është ndeshja ime e fundit për Juventusin”. Me këto fjalë, legjenda e portës italiane Gianluigi Buffon ka zyrtarizuar largimin e tij nga skuadra bardhezi pas 17 vitesh. Ai është shprehur i lumtur për çdo ditë që ka kaluar në këtë ekip. Teksa ka theksuar kënaqësinë që, këtë udhëtim të bukur “do ta mbyllë me dy trofe. Si dhe me të gjithë botën bardhezi në mbështetje”. Buffon është shprehur krenar që ka luajtur deri më tani në maksimumin e aftësive, me paraqitje që i përshtaten si vetë atij, ashtu edhe klubit. “Dua të falënderoj Juventusin, presidentin dhe të gjithë tifozët për atë që më kanë dhënë. E mora këtë vendim në një gjendje të qetë dhe të lumtur. Ndoshta jam pak i dobët, por nuk ndjej frikë. Deri përpara 15 ditësh isha i sigurt se do të ndaloja së luajturi. Por kam marrë disa propozime në lidhje me sfida emocionuese, si në fushë, edhe jashtë saj”, rrëfeu ndër të tjera 40-vjeçari.

buffon gian

Ai e la derën hapur për një transferim në një ekip tjetër, por që me shumë mundësi do të jetë jashtë Italisë. Gjithsesi, zbuloi se gjatë 3 ditëve të ardhshme do të vendosë përfundimisht. “Do të ndjek atë që më vjen në mendje. Pas këtyre ditëve të mbushura me emocione të forta, besoj se javën e ardhshme do të jem në gjendje të marr një vendim”. Gigi ndahet me “Zonjën e Vjetër” pas gati dy dekadash, në një kohë kur në 2001-shin mbërriti nga Parma tek skuadra torineze. Prej atëherë ka luajtur në 875 ndeshje zyrtare me bardhezinjtë. Për më tepër, sa ishte pjesë e Juventusit, e fitoi nëntë herë titullin e Serisë A, si dhe katër herë Kupën e Italisë e pesë herë Superkupën italiane. Pengu i vetëm është që nuk arriti të fitonte trofeun e Champions League, edhe pse shkoi dy herë në finale.