Gianluigi Buffon është përshtatur më së miri tek skuadra e PSG. Veterani italian ka krijuar marrëdhënie mjaft të mira me trajnerin Tuchel, por edhe me shokët e skuadrës. 40-vjeçari ka folur në veçanti për Mbappe Lottin. Buffon në fakt nuk i ka kursyer elozhet për 19-vjeçarin, që u shpall kampion bote me Francën. “Mbappe është një djalosh i mbarë. Ai punon fort dhe është kokëulur. Ka aftësi të shkëlqyera si nga ana atletike apo teknike. Edhe në skuadër transmeton një pozitivitet që ndikon në paraqitjen e të gjithëve,”-shprehet Buffon, që është i sigurtë se nëse Mbappe vazhdon të jetë me këmbë në tokë, do të bëhet absolutisht një ndër më të mirët e këtij sporti. Sa i përket aventurës së tij pariziene, Buffon thotë se gjithmonë e ka intriguar një skuadër si PSG. Ai zbuloi se e kishte ndjekur edhe më parë këtë skuadër e kishte biseduar me shokët italianë tek parizienët si Verratti apo Sirigu. Tek kryeqytetasit francezë ekziston një ambicie e madhe për të arritur gjera të mëdha, ku sigurisht triumfi në “Champions League” mbetet objektivi kryesor i kampionëve në fuqi të “Ligue 1”.